Thursday, September 19

Të përvëluar nga malli, nënë e bir rigjejnë njëri-tjetrin pas 44 vitesh!/ Ndodh përqafimi i parë

Historia e Sadijes, nënës biologjike të Indritit nuk ka qenë aspak e lehtë. Pasi mësoi se ajo jeton, Indriti u shpreh se nuk e paragjykon për arsyet që ai përfundoi në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër sepse mendonte që do të kishte  një motiv të fortë e në të vërtetë, kështu ndodhi.

Në rrëfimin e Sadijes në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan u njohëm me martesën në moshën 16-vjeçare me një njeri të dhunshëm, ardhjen në jetë të djalit  të madh me epilepsi e më pas ndarjen.

Më tej, vijoi jeta në shtëpinë e varfër të prindërve dhe njohja me babanë e Indritit që e braktisi. Kur mësoi papritur se ishte 5-muajshe shtatzënë, Sadija ishte e vendosur për ta mbajtur djalin edhe pse familja ishte kundër. Ajo kaloi vetëm një ditë me të në maternitet e më pas vetë u shtrua në Tiranë për tre muaj për shkak të azotemisë. Të birin s’e pa më, edhe pse e kërkoi gjithkund për 44 vite.

Sadija shton se emri që ajo i vuri ishte Çesk. E vetmja dëshirë e saj është ta shohë njëherë të vetme dhe më në fund ka ardhur dita që t’i realizohet.

Sadije: Atë e ruajttë Zoti! Kam mall sot ta shoh, t’ia puth duart e këmbët! Ta di që është gjallë se më thoshin ka vdekur në atë kohë. Shkova të pyesja, thoshin “nuk jeton fëmija yt”. Kam shkuar në Fier, në Pogradec, ku s’më kanë gënjyer njerëzit, me ato halle që kisha kam shkuar. S’e gjeta kund. Pastaj isha vetëm, me një fëmijë të sëmurë, djalin e kam me epilepsi, 46 vjeç se i dyti ka lindur më 30 tetor 1980. Emrin ia kam vënë unë, Çesk.

Ardit Gjebrea: Çesk ia vure?

Sadije: Çesk ia kam vënë djalit, vetë. Çesk Çela, nëna Sadije, unë jam. Ta dijë që jam mirë, le të jetojë i lumtur, le të vdes se unë me unaza në zemër jam, le të vdes, nuk prish punë.

Ardit Gjebrea: Po prit, ku do të vdesësh ti? Tani që të kemi gjetur djalin do të vdesësh ti?

Ndërsa qan me dënesë, pranë saj afrohet moderatori Ardit Gjebrea i cili i rrëfen për jetën e të birit: si u adoptua në Shkodër dhe shkoi në Vlorë, shenjat që e përndiqnin Indritin gjatë jetës, ngacmimet për prindërit e tij, emigrimin e deri momentin kur vendosi t’i drejtohej programit. Më në fund, Gjebrea i thotë se i biri ndodhet pas ekranit në studio dhe Sadija shpreh dëshirën për ta parë. Nënë e bir shihen për herë të parë pas 44 vitesh.

Sadije: Zemra e nënës!

Ardit Gjebrea: Tani se nuk duhet të bëjmë shumë xheloze nënën tjetër që e ka rritur…

Sadije: Jo, jo s’ka gjë, faleminderit…

Ardit Gjebrea: Po bëj shaka! Ai tani ju ka të dyjave, të ka edhe ty, ka edhe nënën e tjerë se edhe ajo që e ka rritur…

Sadije: Posi, faleminderit shumë që ma ka bërë djalin burrë! O Zot ruaje!

Po aq i emocionuar, Indriti ngrihet dhe shkon drejt nënës së tij që i jep një përqafim të mbetur në pritje prej vitesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *