Thursday, September 19

“E mbajta një ditë e s’e gjeta më”/Nëna ngashërehet për birin e humbur prej 44 vitesh: Ta shoh e le të vdes!

Pasi mësoi se nëna e tij biologjike është gjallë, ka ardhur momenti që Indriti të mësojë historinë e saj dhe pse ai përfundoi në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty” hyn Sadija, e cila pa e ditur se i biri gjendet në anën tjetër të ekranit, nis të ndajë historinë e saj me rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan. Njëkohësisht, Indriti mundet t’i dëgjojë vetëm zërin fillimisht.

Sadija nis të tregojë sesi në moshën 16-vjeçare u martua me një djalë. Në moshën 19-vjeçare erdhi në jetë djali i saj i madh që sot është 46 vjeç dhe vuan nga epilepsia. Në moshën 20-vjeçare, Sadija vendosi të ndahej nga ky bashkëshort sepse e dhunonte dhe ajo përfundoi në shtëpinë e prindërve.

Djali ishte 2 vjeç kur u zhvendos atje dhe më pas i ati i Sadijes u nda nga jeta prej një infarkti në zemër. Gjendja ekonomike  e familjes ishte e vështirë dhe ia dilnin me shumë mundime.

Në moshën 22-vjeçare, Sadija u  njoh me një djalë që punonte si shofer autobusi. Aty ku u duk se mund të rigjente dashurinë, mbeti shtatzënë dhe ai e braktisi.

Sadije: U njoha me këtë djalin, ngela shtatzënë, këta ishin katolikë e unë myslimane, filluan sherri e debatet ky me njerëzit e vet dhe më tha mua “mos të të vijë keq, nuk do familja”.

Ardit Gjebrea: Ti si e more vesh që ishe shtatzënë?

Sadije: Pas ca kohësh i them nënës jam shëndoshur shumë. Thotë nëna “hajde të të çoj të të vizitoj” se më ka vdekur një motër me leucemi, 50 vjeçe. “Merre Mozën”, për motrën, “e shkoni” tha. Erdhi edhe nëna, kur i tha mamia “është 5 muajshe shtatzënë”. Nëna u shtang, ngeli, ishte edukatore në çerdhe, tha “vajzë, dili jetës përballë”. Thashë fëmijën nuk e heq, unë rrugëve do rri, fëmijën  nuk e heq se më vjen gjynah se vetë e desha, me zor s’më bëri kush, ai doli i pabesë, unë e mbajta djalin. Linda në maternitet të Shkodrës. E mbajta një ditë në dorë e s’e gjeta më pastaj. Kalova azotemi, tre muaj në Tiranë te një doktor i huaj,Tefik, ai më ka shëruar se kalova azoteminë pas  lindjes. Familja s’më pranoi më në shtëpi.

Ardit Gjebrea: S’të pranoi më familja?

Sadije: Jo.

Ardit Gjebrea: Pse?

Sadije: S’donin, thoshin “ku do e çosh ti, po vuan për bukë me fëmijën tjetër, të mbajmë edhe këtë, gjynah ta lësh të vuash”.

Me gjithë mospranimin e familjes së saj dhe faktit që do të jetonte në rrugë, Sadija ishte e vendosur për ta mbajtur fëmijën. Ajo ishte e gatshme të vdiste në çfarëdo kushti, por jo të abortonte ose braktiste të birin. Mjerisht, kaloi vetëm një natë me të dhe prej 44 vitesh, nuk e di se cili është fati i tij e zemra i djeg nga dhimbja.

Sadije: Atë e ruajttë Zoti! Kam mall sot ta shoh, t’ia puth duart e këmbët! Ta di që është gjallë se më thoshin ka vdekur në atë kohë. Shkova të pyesja, thoshin “nuk jeton fëmija yt”. Kam shkuar në Fier, në Pogradec, ku s’më kanë gënjyer njerëzit, me ato halle që kisha kam shkuar. S’e gjeta kund. Pastaj isha vetëm, me një fëmijë të sëmurë, djalin e kam me epilepsi, 46 vjeç se i dyti ka lindur më 30 tetor 1980. Emrin ia kam vënë unë, Çesk.

Ardit Gjebrea: Çesk ia vure?

Sadije: Çesk ia kam vënë djalit, vetë. Çesk Çela, nëna Sadije, unë jam. Ta dijë që jam mirë, le të jetojë i lumtur, le të vdes se unë me unaza në zemër jam, le të vdes, nuk prish punë./tvklan

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *